Pyetje  E  përgjigje

Klikoni mbi shenjën + për të zbuluar përgjigjet:

Çfarë shërbimesh ofron qendra juaj?  

Shtegu i Shpresës ofron shërbim cilësor dhe profesional për fëmijë, adoleshentë, të rritur, çifte, familje dhe grupe për këto tematika: Terapi përmes lojës, depresioni, ankthi, fobitë, hiperaktiviteti (ADHD), autizmi, refuzimi e bullizmi, varësi të ndryshme, abuzimi e dhuna, problematika të identitetit, sjellje kompulsive, çrregullime të të ngrënit, humbje dhe kalimi i zisë, problematika të adoleshencës, probleme të divorcit, prindërimi, këshillim paramartesor dhe martesor, etj.

Gjithashtu, ne ofrojmë supervizim profesional për profesionistë, për punonjës organizatash ose përfitues të tyre. Shtegu i Shpresës ofron edhe paketa të personalizuara për nevojat tuaja individuale apo në grup përkthyer në orë (seanca këshillimi), të cilat mund të përdoren në momente të caktuara sipas nevojës. Gjithashtu, mund të ndihmoni në mënyrë profesionale stafin tuaj (individualisht apo në grup) me teknika apo aftësi të çështjeve të punës, si burn-out, etj.

Në Tiranë ka disa qendra psikoterapie. Çfarë e bën te veçantë qendrën tuaj?

Shtegu i Shpresës është fryt i një bashkëpunimi të ngushtë me një grup psikologësh në Karolinën e Veriut të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Si partnerë të rëndësishëm dhe me eksperiencë disa dhjetëra-vjeçare në këtë fushë, ata janë të përkushtuar për të sjellë trajnimet më të fundit dhe terapitë më efektive për çdo kategori  të shëndetit mendor. Krahas kësaj, ata mbikëqyrin dhe supervizojnë hap pas hapi punën e terapistëve tanë përmes vizitave të vazhdueshme dhe takimeve virtuale javore. Së fundi, ata ofrojnë rregullisht trajnime për grupe dhe nevoja të ndryshme.

Ajo çka e bën qendrën tonë të veçantë janë edhe fasilitetet dhe ambientet e qendrës sonë, të cilat janë nga më bashkëkohoret, të rehatshme dhe të pajisura me gjithçka të nevojshme për sigurimin e një shërbimi efikas. Po ashtu, dhoma e terapisë për fëmijë është e pajisur me gjithçka që duhet për trajtimin e fëmijëve të çdo moshe dhe niveli zhvillimi.

Çfarë i pengon shqiptarët të shkojnë tek psikologu?

Fatkeqësisht, në shoqërinë tonë ekziston bindja se kushdo që shkon tek psikologu, është ‘i çmendur’. Stigma e krijuar për personat që shkojnë tek psikologu, është e rëndë. Ka një mohim të nevojës për ndihmë të specializuar. Por duhet theksuar se pavarësisht nga kjo, tashmë po ndodh me të vërtetë një ndryshim i ngadaltë në ndërgjegjësimin e popullsisë dhe kjo është shpresëdhënëse.

Një arsye tjetër për ngurrimin që kanë shqiptarët, ka të bëjë me çështjen e konfidencialitetit. Krahas ekspertizës, terapistët tanë i përmbahen rreptësisht konfidencialitetit, duke siguruar besimin te klientët tanë se privatësia e plotë do të respektohet në mënyrë absolute.

Pse mund të shkosh për terapi kur nuk ke probleme mendore? 

Sepse përmes terapisë mund të trajtohen shumë tema përtej sëmundjeve mendore. Është normale që njerëzit të përjetojnë dhimbje dhe lëndime. Ne mund t’i ndihmojmë ata me shumë lloje problemesh që hasin në jetë, si beteja ose strese emocionale dhe sociale që mund të lindin nga martesa, prindërimi, fëmijët, familja, puna ose shoqëria më e gjerë.

Shqiptarët jetojnë në komunitet dhe kanë një jetë sociale të pasur. Atëherë pse është e nevojshme të shkojnë tek psikologu?

Sepse jetojmë në një botë me probleme. Jetesa në komunitet është e dobishme, por ka raste kur objektiviteti që mund të japë një profesionist, është edhe më i dobishëm. Terapia është një shërbim i nevojshëm për individin ose komunitetin që përballet me çështjet e jetës, – të cilat prekin secilin prej nesh, – duke ndërhyrë përmes një trajtimi profesional, çka jep rezultat në përmirësimin e cilësisë së jetës. Kështu përveç muhabeteve që shqiptarët bëjnë në kafene, ka situata të shumta ku personat duhet t’i drejtohen psikologut për një ndihmë më të specializuar.

A duhet të jesh në Tiranë për takim me terapistin?

Jo domosdoshmërisht! Ndonëse ka raste kur takimi në mjediset tona mund të jetë i nevojshëm, shërbimet tona ofrohen edhe online.