Bela Memushi
Bela ka studiuar për Këshillim të Shëndetit Mendor Klinik të nivelit Master në Universitetin “Liberty” të Virxhinias, SHBA. Gjatë kësaj periudhe ka kryer trajnime të ndryshme. Zotëron certifikatën “SYMBIS” për këshillim para-martesor dhe ka përfunduar nivelin e I të trajnimit Gottman duke e përdorur si metodë për këshillimin e terapisë në çifte.
Gjithashtu, ajo është certifikuar si “Life Coach” në 2016 nga CMI, Budapest, Hungari. Ka 16 vite eksperiencë duke punuar me studentë dhe profesionistë përmes Institutit “Jeta e Re”. Puna e saj është përqendruar në nxitjen e rritjes profesionale, në zhvillimin dhe mentorimin personal të aspektit shpirtëror të të rinjëve.
Bela ofron terapi dhe këshillim për individë, çifte, familje dhe grupe duke trajtuar çështje të shëndetit mendor. Terapia e saj me klientët përqendrohet në trajtimin e shqetësimeve të tilla si menaxhimi i stresit, çrregullimet e ankthit, të sjelljes, të depresionit, çrregullimet neuro-kognitive, ato të gjumit, OCD, trauma dhe post-trauma të ndryshme, si dhe çrregullime të tjera që lidhen me shëndetin mendor. Çështjet që zakonisht klientët adresojnë në seanca këshillimi përfshijnë shqetësime personale, emocionale, profesionale, probleme në marrëdhënie, dhe çështje të aspektit shpirtëror. Si terapiste, Bela ka një përqasje të integruar ndaj këshillimit, duke zgjedhur mes teorive, instrumenteve dhe teknikave specifike që përshtaten me personalitetin dhe nevojat konkrete të klientit. CBT (Cognitive Behavioral Therapy) është metoda kryesore që përdor gjatë terapisë duke adresuar mendimet irracionale që shkaktojnë emocione dhe sjellje negative te klientët.
Roli i Belës është të asistojë klientin në arritjen e qëllimeve që vendos gjatë terapisë, dhe të sigurojë mbështetje të plotë dhe një ambjent pranues, të ngrohtë e motivues për të sjellë ndryshimin e duhur në çështjet e trajtuara. Për Belën, marrëdhënia me klientin është parësor, duke siguruar konfidencialitet të plotë, besim, empati dhe mirëkuptim. Motoja e Belës është: “Dashuria mban çdo gjë”.